Unaza e qytetit të Pogradecit po transformohet ditë pas dite. Edhe pse rikonstruksioni i këtij segmenti me gjatësi 3.5 km, ka filluar në muajin Qershor, punimet kanë vijuar me ritme të larta, duke avancuar deri në hedhjen e shtresës së asfaltit në hyrje të qytetit.

Problematike ndër vite dhe në gjendje krejtesisht të amortizuar, unaza e Pogradecit do të kthehet në një rrugë moderne me gjerësi asfalti 6.5 metër, trotuare me gjerësi 2 metër, pasuar nga sistemi i ndriçimit dhe gjelbërimi i aksit në të gjithë gjatësinë e tij. Veprat e artit dhe kanalizimet kanë përfunduar dhe rruga është gati për t’u shtruar me asfalt.

Investimi prej 8 milion euro i Fondit Shqiptar të Zhvillimit parashikon jo vetëm ndërtimin e një infrastrukture sipas standardeve bashkëkohore, por edhe rikualifikim të plotë urban të zonës ku do të kalojë gjurma e rrugës, me gjatësi totale prej 8 kilometrash.

Projekti që po zbatohet nga kompania A.N.K. përveç unazës përfshin edhe rehabilitimin e segmentit nga Zervaska deri në Qafë Plloçë ku do të bashkohet me rrugën Qukës-Qafë Plloçë.

Ky aks do të kalojë në një gjurmë të re mbi fshatin Zervaske, duke shkurtuar distancën dhe eleminuar kthesat e rrezikshme. Rruga do të jetë me 3 korsi dhe do të ndërtohen 2 nënkalime për të lehtësuar lëvizjen e banorëve të zonës.

Teknologjia moderne që po përdoret për zbatimin e këtij projekti dhe puna me ritme të pandërprera garanton përfundimin e punimeve në harkun kohor të një viti edhe pse afati i kontratës është 18 muaj. Dhjetra banorë të Pogradecit janë punësuar ne sektorë të ndryshëm të kantierit, ndërsa rehabilitimi i rrugës pritet të ketë impakt të drejtpërdrejte për turizmin dhe bizneset, që pozicionohen përgjatë segmentit.

Tv Klan