Policia dhe shoqata e operatorëve të aeroportit në Gjermani, bënë thirrje për heqjen e pikave të mbledhjes së lojës së famshme “Pokemon Go”, pasi prania e lojtarëve në zona të cilësisë së veçantë, siç është aeroporti, përbën rrezik për jetën e qytetarëve.

Të ashtuquajturat “Pokestops”, ku përdoruesit e “Pokemon Go” mbledhin materiale rreth lojës apo ndeshen me njëri-tjetrin, janë cilësuar si të rrezikshme, pasi mund të pengojnë pasagjerët, apo mund të dhunojnë hapësirat e ndaluara të aeroportit.

Loja virtuale “Pokemon Go” është kthyer së fundi në një fenomen botëror. Të dielën policia e Osnabrukut, në Gjermani, shpëtoi një të ri që po përpiqej të kapte një pokemon në shinat e trenit. Për pasojë disa trena u shtynë.

Loja e famshme u ndalua pak ditë më pare, edhe nga Pentagoni. Departamenti amerikan i mbrojtjes, e ndaloi “Pokemon Go” për stafin e tij për arsye sigurie. Për shkak të lojës, në SHBA janë regjistruar edhe viktima, të cilët humbën jetën, teksa po përpiqeshin të kapnin pokemonë.

Tv Klan