Skënderbeu e quan të turpshme atë që ndodhi të shtunën në fushën e Kukësit. Presidenti i korçarëve, Ardjan Takaj, i cili u largua nga stadiumi në shenjë revolte pa përfunduar ndeshja, në një prononcim për Panorama Sport e drejtoi gishtin ndaj gjyqtarit të takimit, Enea Jorgji.

“Më vjen turp që jam pjesë e këtij futbolli. Jo më kot ne kërkuam gjyqtarë të huaj për këtë takim. Ajo çfarë bëri Enea Jorgji, ishte një vetëvrasje për futbollin shqiptar. I kërkuam ata pasi e dinim se kjo ndeshje kishte presion të madh që mbarte me vete. Nëse do të kishte arbitra të huaj, pa u ndikuar nga ekipet në fushë, gjithçka do të ishte normale.

 

E gjithë Shqipëria e pa se çfarë turpi ndodhi sot në futbollin shqiptar”.

Edhe klubi i futbollit Skënderbeu reagoi me anë të një mesazhi në faqen zyrtare drejtuar futbollistëve, duke i përforcuar akuzat e presidentit.

“Ju jeni heronj! 

Luajtët dy lojtarë më pak kundër të gjithëve. Ju e treguat kush janë kampionët duke dominuar në mes të Kukësit pavarësisht faktorëve të jashtëm”.

Por Kukësi nuk ka qendruar në heshtje. Është trajneri Ernes Gjoka, ai që kthen përgjigje, për akuzat për favorizim.

“Më vjen keq, aty na kishit një vit s’na mundët dot ..!”,

shkruan ai në faqen zyrtare në Facebook.

Vendimet e gjyqtarit Enea Jorgji u kundëtshtuan edhe në fushë. Dy kartonë të kuq, i pari pas 10 minutave lojë, ndërsa i dyti në 55’ nxitën protestat e korçarëve.

Lojtarët e Skënderbeut kërkuan edhe një penallti, pas pengimit të Latifit në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1 – 0. Por Jorgji ndëshkoi për simulim mesfushorin e korçarëve, duke nervozuar edhe Salihin, i cili i grisi kartonin e kuq.

Skënderbeu u përpoq deri në fund të përmbyste rezultatin, pavarësisht se ishte me 2 lojtarë më pak. Por Pero Pejiç shënoi sërish në minutat shtesë, duke ua marrë titullin kampion pas 6 vjetësh korçarëve dhe duke e çuar për herë të parë në Kukës.

Tv Klan