Avioni i vogël tip “Piper” i rrëzuar mëngjesin e së enjtes në pranë grykëderdhjes së lumit Ishëm në Durrës po kontrollonte terrenin për t’u ngarkuar me kanabis.

Fillimisht policia e Durrësit, në një komunikim zyrtar njoftoi se piloti i avionit italiani Guido Gudi 69-vjeç ka kryer ulje të detyruar pas një avarie. Në një njoftim të nxjerrë rreth orës 12:30, u tha se ishte marrë informacion për ngjarjen në orën 8:45.

Forcat e rendit kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar pilotin. Ai është marrë në pyetje dhe fillimisht mësohet se ka deklaruar se është ngritur nga Bari për të fluturuar drejt Milanos, por për shkak të kohës së bukur ka vendosur të kryejë një fluturim mbi det.

Në lartësinë 4000-5000 këmbë avioni i ka dhënë defekt. Ai ka rrëfyer se ka parë nga lartësia një tokë arë të punuar, të cilën e ka konsideruar vendin më të përshtatshëm për t’u ulur.

Është përpjekur të ulet, por gjatë manovrave avioni ka pësuar dëmtime. Siç shihet nga pamjet ai është i dëmtuar në njërin krah dhe ka përfunduar në disa shkurre.

Pasi ka dhënë dëshminë e tij, piloti Italian është dërguar sërish në vendin e ngjarjes, i shoqëruar nga një prokuror i Durrësit, pasi dëshmia e tij nuk ka qenë bindëse për hetuesit. Ata dyshojne se avioni ka ardhur në Shqipëri për të transportuar hashash. Për këtë arsye në hetime janë përfshirë edhe Krimet e Rënda.

Burime të Tv Klan thanë se piloti në fund ka pranuar të bashkëpunojë dhe të pranojë se udhëtimi kishte si qëllim njohjen e terrenit për transportin me kanabis. Pas një jave ai do të merrte 200 kilogram kanabis, ndërsa ka treguar edhe kontaktet e tij në Itali dhe Shqipëri.

Hetuesit kanë kërkuar informacion nga pala italiane për pilotin, ndërsa po kontrollohen edhe telefonatat që ai ka kryer.

Ky është një rast i ngjashëm me atë të pilotit italian Xhorxho Riformato, që më 9 Maj të vitit 2014 u rrëzua ne plazhin e Divjakës.

Tv Klan