Policia e Elbasanit ka marrë një sërë masash për sigurimin e rendit e qetësisë dhe për zhvillimin sa më normal të takimit Kukësi – Rudar Plejevlja, që do të luhet të enjten, në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, e vlefshme për Europa League.

Për këtë arsye, kjo polici njofton se nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit, deri në përfundim të ndeshjes.

Nga “Kryqëzimi i rrugës së tapetave” deri tek “Ish Konservimi” nuk do të lejohet parkimi dhe qarkullimi i mjeteve.

Të angazhuar do të jenë 110 punonjës policie të Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit.

Gjithashtu, policia i bën thirrje të gjithë pronarëve të lokaleve që ndodhen përreth Stadiumit, që nga ora 18:00 dhe deri në përfundim të ndeshjes, të marrin masa që të jenë të mbyllura.

Drejtoria Policisë Elbasan i kërkon qytetarëve që të minimizojnë më datë 30 Qershor lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, ç’ka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti. /tvklan.al