Inspektorati Policor i Kosovës, vetëm gjatë vitit 2016, ka trajtuar mbi 1300 ankesa, prej të cilave, 55 raste kanë pasur elemente korruptive, si keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

Këto informata konfirmohen nga zëdhënësi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Arbër Beka.

Ai ka theksuar se mbeten të përkushtuar të realizojnë objektivat ligjore që të parandalojë dhe luftojnë çdo dukuri negative brenda Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe rastet e korrupsionit.

“Nuk mund të themi që Policia e Kosovës është e paprekshme nga korrupsioni, mirëpo është e rëndësishme që Inspektorati, por edhe vet Policia e Kosovës, kanë gatishmëri që të luftojnë këtë dukuri negative. Individë brenda Policisë së Kosovës mund të jenë ata të cilët mund të pranojnë ryshfet në raste të caktuara, mirëpo vullneti i institucioneve që të luftojnë këtë dukuri nuk mungon dhe këtë e kanë treguar operacionet e fundit që janë ndërmarrë nga Inspektorati”, thekson Beka.

Ditë më parë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa përmes profilit të tij në Facebook kishte theksuar se në Policinë e Kosovës ka elemente korruptive dhe duhet bërë pastrimi i policisë nga këto dukuri negative.

“Është momenti i fundit që Policia e Kosovës të fillojë një reflektim të brendshëm, sepse kjo i ndihmon para së gjithash vetë policisë. Pastrimi i policisë nga elementet kriminale dhe të korruptuara është shërbimi më i madh që mund t`u bëhet qytetarëve”, kishte shkruar Mustafa.

Por, zëdhënësi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës Arbër Beka i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk do të lejohet zbehja e imazhit të Policisë së Kosovës, e cila vlerësohet si njëri nga institucionet më të pa korruptuara në vend.

“Inspektorati Policor i Kosovë nuk do të lejojë që individë të caktuar brenda Policisë së Kosovës të dëmtojnë apo zbehin në çfarë mënyre imazhin e Policisë së Kosovës si dhe besueshmërinë e madhe që qytetarëve të Kosovës që kanë në këtë institucion të rëndësishëm për sigurinë e vendit”, ka theksuar Beka.

Në anën tjetër, Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, ka bërë të ditur se për rastet e fundit të korrupsionit në Policinë e Kosovës, do të informohen nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.

“Tash e disa muaj ka pasur arrestime të policëve nën dyshimin se disa prej tyre janë të përfshirë në afera korruptove dhe për këtë ne kemi thirr nesër (e martë) kryeinspektorin e Inspektoratit Policor që të na informon se cila është gjendja reale”, ka bërë të ditur Haradinaj.

Ai ka theksuar se Policia e Kosovës është një nga mekanizmat që gëzon besimin e qytetarëve dhe është më e pakorruptuara. Sipas tij, mund të ketë raste individuale të korrupsionit në Policinë e Kosovës, por kjo nuk e zbeh imazhin e policisë.

Ndërkaq, përplasjet verbale të zëvendësministrit të Punës të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, deputeti Daut Haradinaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i quan reflektim i raporteve ndërmjet dy partive në pushtet.

“Mendoj që ka pasur lëvizje në hierarkinë e policisë mbi baza politike ose preferenca politike sesa në kuptimin e dyshimeve rreth aferave korruptive”, ka theksuar Haradinaj.

Policia e Kosovës, ndërkohë iu kishte kundërpërgjigjur deklaratave të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Nehat Mustafa përmes një komunikate për media.

 “Sa i përket dyshimeve, hipotezave dhe gjasave të probabilitetit për një numër të madh të policëve të korruptuar, e inkurajojmë z. Mustafa që dyshimet e tija t’i paraqes tek institucionet kompetente dhe e sigurojmë z. Mustafa edhe pse besojmë se e ka të qartë se PK-ja do të vazhdojë të jetë profesionale, e pa lëkundur në përmbushjen e misionit, vizionit dhe objektivave të saja, dhe e pa ndikuar nga shantazhet dhe tendenca për ndërhyrje në pavarësinë operacionale”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Policia e Kosovës./REL