Një 35-vjeçar shqiptar identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur është arrestuar nga policia italiane.

Sipas mediave italiane, shqiptari ishte dënuar nga autoritetet italiane dhe kishte për të shlyer 1 vit e 10 muaj burg, lidhur me një aksion në vitin 2008, kur u zbulua një rafineri droge në Bergamo dhe u sekuestruan 30 kg heroinë.

Ai u ndalua në Rubano, teksa udhëtonte me një makinë Volgswagen Polo. Pas kontrollit të policisë, atij i’u gjetën 3 mijë euro, celularë dhe disa çelësa.

Me anë të këtyre çelësave, policia arriti të zbulonte një vilë në rrugën Treviso të Rubano-s, ku brenda saj u gjetën 161.500 euro të ndara në 19 tufa dhe të mbështjella në qese.

Në banesën e cila ishte në pronësi të italianëve, nuk u gjet asnjë gjurmë droge, përveç parave. Hetuesit besojnë se 35-vjeçari ishte disa ditë në Padova, në rolin e “koleksionistit”.

Shqiptari është dërguar në burg, ndërsa hetimet e mëtejshme vijojnë për të zbuluar rrjetin e trafikut./tvklan.al