Një bandë e përbërë nga 31 persona u shkatërruar nga policia greke gjatë një aksioni masiv. Të gjithë anëtarët janë të arrestuar, nga të cilët 27 janë shqiptarë, dy grekë, një bullgar dhe një rumun.

Kjo bandë grabiste dhe vidhte në stacionet e metrove në Athinë, autobusëve e trenave gjatë 10 viteve të fundit. Në total janë arritur të zbulohen 700 raste të vjedhje dhe 500 portofole të vjedhura, por policia greke thotë se numri i vjedhjeve mund të arrijë deri në 4 mijë për shkak të veprimtarisë kriminale që ka nisur shumë vite më parë. Banda funksiononte në mënyrë të tillë që të mos zbulohej. Ata qëndronin 5-6 persona dhe ecnin pranë një këmbësori në metro dhe i vidhnin portofolin.

Hetuesit grekë thonë se anëtarët e kësaj bande e studionin mirë terrenin se ku kryenin vjedhjet. Ata siguroheshin që në zonën ku do të vepronin, mos të kishte kamera sigurie apo rrezja e tyre mos të shtrihej deri në pikën ku kryenin grabitjet. Madje, në një rast kjo bandë ka kryer vjedhje edhe gjatë ndeshjes së futbollit Olimpiakos – Panathinaikos. Emrat e shqiptarëve të arrestuar nuk janë bërë të ditur. Policia e Athinës dyshon se pjesë e bandës janë edhe 18 persona të tjerë, të cilët janë të lirë. /

tvklan.al