Policia italiane ka arrestuar në Kazerta një familje shqiptare, e cila shfrytëzonte të fejuarën e djalit të shtëpisë si prostitutë. Pesë shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane në provincën e Caserta-s nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit.

Sipas mediave italiane të arrestuarit ishin pjesë e një familjeje dhe shfrytëzonin lidhjet e njërit prej të rinjve për të gjetur vajza që i detyronin të bënin prostitutën. Në pranga kanë përfunduar shqiptarët: Osman Hasko, 27 vjeç; Shkumbin Muça, 24-vjeç; Aqif Hasko, 54-vjeç; Fation Dedja, 37-vjeç dhe Artan Zeqja, 35-vjeç.

Mediat italiane bëjnë me dije se minorenia shqiptare ishte e fejuar e shtetasit Osman Hasko, i biri i Aqif Hasko, i cili i kishte thënë vajzës se do të martoheshin pasi të fitonin para nga prostitucioni.

Nga përgjimet ambientale është zbuluar se 27-vjeçari Osman Hasko i gjente klientët të fejuarës së tij. Nga hetimet është zbuluar se vajza nuk e konsideronte veten si të “burgosur” nga grupi. Në një rast, vajza i ka telefonuar babait të 27-vjeçarit, Afiqit dhe i thotë se nëse “Osmani nuk do ta telefononte, do ta denonconte në polici për nxjerrjen e saj në rrugë për prostitucion”.

Hetimet ndaj tyre nisën pas ankesës së nënës së një prej vajzave më 13 shkurt të vitit 2014, e cila shkoi në polici për të denoncuar zhdukjen e saj. / tvklan.al