Një letër me vlerë ka rënë në duart e policisë italiane sa i përket trafikut të kanabisit nga Shqipëria në Itali.

Bëhet fjalë për një rast të trafikut të drogës në Janar 2017, kur autoritetet italiane kapën në Brindisi një ngarkesë prej 1.9 ton kanabis sativa dhe arrestuan shqiptarin Besmir Hameti dhe italianin Giuseppe Vantaggiato.

Ndërkohë që hetimeve vazhdojnë për këtë rast, tre ditë më parë u arrestuan dy italianë, Maurizio Carratta dhe Maurizio Muscogiuri. Nga një përgjim i këtij të fundit, u zbulua një letër që përmban kontaktet për ngarkesat e kanabisit në Shqipëri dhe në Itali, si dhe listat e çmimeve të drogës. Tashmë kjo letër me të dhëna të vyera për hetimin, disponohet nga agjentët italianë.

Autoritetet thonë se Maurizio Muscogiuri ishte rival me Giuseppe Vantaggiato që u arrestua në janar së bashku me shqiptarin Hameti. Letra me të gjitha kontaktet është shkruar nga një i burgosur i quajtur Demenico Pascariello, dhe i është dërguar të burgosurit tjetër Maurizio Muscogiuri përmes gruas së tij. Në letër përmenden edhe borxhet si dhe frika që dikush mund të flasë. Tashmë policia do të hetojë të gjitha provat e reja që disponon.

/tvklan.al