didi-per-tritolinDrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi deklaron se ka prova të mjaftueshme që implikojnë 7 persona në vendosjen e tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit, të atit të Ministrit të Brendshëm.

Në një dalje për mediat, Didi tha se 4 personat e arrestuar, Erjon Dule, Kamber  Bruka, Ernest Gjuta, Lumjan Matmuja, dy personat e shpallur në kërkim, Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka si dhe Emirjon Gjuta janë përgjegjës për 2 nga tre ngjarjet e mëngjesit të 10 Shkurtit në Tiranë.

Megjithatë policia nuk jep motivet që kanë shtyrë këta persona të ndërmarrin këto akte ndaj familjes së Ministrit të Brendshëm.

Sa i përket largimit të Vladimin Gjutës jashtë Shqipërisë edhe pse për të ishte caktuar masa e arrestit shtepiak, Didi tha se Gjuta është larguar 2 ditë para se ky grup të akuzohet për këto vepra kriminale.

Në 10 Shkurt të këtij viti 2 shpërthime tronditën Tiranën, ndërsa një pako e pashpërthyer u gjet pranë një stacioni autobuzi. Një ditë më pas u gjet edhe një tjetër pako pranë shkollës “Petro Nini”.

Fillimisht policia ndaloi Emirojn Gjutën. Hetimet e metejshme çuan në ndalimin edhe për 4 persona të tjerë ndërsa po punohet për arrestimin e dy të kërkuarve, që sipas policisë, janë me precedent të mëparshëm penalë.

Tv Klan