Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve gjatë ditëve të Pashkëve.

Me anë të një njoftimi për mediat, Policia thotë se ka kaluar në shërbim të përforcuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë me rastin e Festës së Pashkëve, duke hartuar një plan të veçantë masash për këtë qëllim.

Në të gjithë vendin do të ketë rritje të prezencës policore, për të parandaluar ngjarjet kriminale.

Masa do të ketë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në objektet fetare, si dhe në ambientet ku do zhvillohet festa e Pashkëve.

Sa i përket rritjes së sigurisë rrugore, Policia thotë se do të ketë shtim të patrullimeve nga ana e Policisë Rrugore në akset nacionale dhe akset kryesore rurale.

Masa janë marrë edhe nga Policia Kufitare në burime njerëzore dhe infrastrukturore.

Në porte, aeroport dhe në pikat e kalimit kufitar janë shtuar sportelet me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore për të gjithë shtetasit vendas e të huaj që do të hyjnë apo dalin nëpërmjet pikave të kalimit porteve dhe aeroportit duke shmangur vonesat dhe radhët e gjata.

Masa janë marrë edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve me karakter terrorist.

“Policia e Shtetit uron të gjithë të krishterët, Gëzuar Pashkët dhe siguron ata dhe të gjithë qytetarët se ka kapacitete të mjaftueshme në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të parandaluar dhe goditur veprimtarinë kriminale në çdo fushë që mund të shfaqet ajo

“, thuhet më tej në njoftim.

Të enjten, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i bëri thirrje për kujdes të veçantë shtetasve amerikanë në Shqipëri, duke tërhequr vëmendjen ndaj sulmeve të mundshme terroriste që mund të ndodhin gjatë festës së Pashkëve.

Besimtarët e krishterë do të festojnë Pashkët të hënën, më 17 Prill. /tvklan.al