grevaGreva e studentëve të Infermierisë është ndërprerë nga policia. Rreth orës 2 pas mesnate forcat e rendit hynë në ambientet e Fakultetit të Infermierisë dhe i shoqëruan studentët grevistë në polici.

Disa prej studentëve grevistë janë kthyer serish para fakultetit dhe kanë denoncuar forcat e rendit për dhunë, fizike e psikologjike.

Për ndërprerjen e grevës reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili e quajti ndërhyrjen e policisë një akt banditesk dhe të paligjshëm.

Grevistët, që janë studentë të universiteteve të mbyllura nga Ministria e Arsimit dhe të transferuar në Fakultetin e Mjekësisë, nuk pranojnë të paguajnë tarifa më të shtrenjta se studentët e tjerë. Por Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë një takimi me ta 2 ditë më parë, u tha se këto rregulla i kanë pranuar vetë dhe ato nuk mund të ndryshojnë në mes të lojës.

Për ndërprerjen e grevës nga policia, Partia Demokratike pati edhe një tjetër reagim nga kryetari i grupit parlamentar Edi Paloka, i cili, në një deklaratë për mediat përpara Drejtorisë së Policisë, e akuzoi policinë për dhunë.

Tv Klan