Policia e Elbasanit ka marrë një sërë masash për të siguruar zhvillimin normal të takimit Kukësi – Austria Wien, ndeshje e vlefshme për turin e dytë të Europa League, që do të luhet enjten në orën 19:30, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Burime zyrtare nga kjo polici njoftojnë se gjatë ditës së nesërme nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit, deri në përfundim të ndeshjes.

Nga “Kryqëzimi i rrugës së tapetave” deri tek “ish – Konservimi”, nuk do të lejohet parkimi dhe qarkullimi i mjeteve.

Të angazhuar për ruajtjen e sigurisë do të jenë 185 punonjës të policisë së Elbasanit dhe FNSH.

Gjithashtu, nuk do të lejohet marrja e femijëve të mitur pa u pajisur me biletë.

Të gjithë sportëdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet duhet të jenë të pajisur me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete:

sende të forta, shishe (të çfarëdolloji), fishekzjarre, monedha apo metale (të çfarëdolloji) dhe çelësa të ndryshëm.

Bëni kujdes, pasi nëse merrni me vete një nga këto sende të ndaluara, policia thotë se nuk do të lejoheni të futeni në stadium, në hyrje të së cilit do të ketë kontrolle për të gjithë tifozët.

Ndërkohë, të gjitha lokalet që ndodhen përreth stadiumit, nga ora 18:30 dhe deri në përfundim të ndeshjes, duhet të jenë të mbyllura.

Policia i kërkon qytetarëve që gjatë ditës së nesërme, të minimizojnë lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit, pasi kjo do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti.

Në takimin e parë mes Kukësit dhe Austria Wien, ekipi shqiptar humbi me rezultatin 1 me 0. Ky rezultat e la kualifikimin të hapur për Kukësin, për në turin e tretë të Europa League./tvklan.al