Policia e Shtetit nuk e pranoi kërkesën e Partisë Demokratike për të protestuar në disa akse të vendit të hënën.

“Zhvillimi i kësaj proteste cënon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe po ashtu qartësisht ajo dëmton interesat e qytetarëve.

Drejtori për rendin dhe sigurinë, Altin Qato doli në një konferencë për shtyp për t’u bërë thirrje qytetarëve që të mos e mbështesin protestën dhe i paralajmëroi ata dhe organizatorët se do të përballen me ligjin.

“Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve që synojnë kaos, konflikt, destabilizim, ashtu sikundër u bën thirrje të mos i bashkohen manifestimeve të paligjshme që cënojnë lirinë e qytetarëve të tjerë dhe të drejtën e tyre për të qarkulluar lirshëm.

Të gjithë ata që do të marrin përsipër t’u shkojnë pas politikanëve të kujtdo subjekti politik për të cënuar rendin publik, penguar qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave, dëmtuar bashkëjetesën shoqërore dhe ekonominë e bizneseve, do të përballen me ligjin”.

Partia Demokratike e sheh si kërcënim këtë thirrje të policisë.

“Me urdhër të Edi Ramës, krerët e policisë që nuk luftojnë krimin, trafikantët, banditët, por bëhen palë me ta, kërcënuan sot qytetarët e lirë të vendit, në një përpjekje të dëshpëruar për të ndalur popullin të shprehet”.

Demokratet paralajmëruan policinë që të mos i intimidojnë qytetarët, ndërsa siguruan se protesta do të jetë paqësore.

“Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar i bën të ditur publikisht çdo punonjësi dhe funksionari të policisë, se do të filmohet e do të regjistrohet emër për emër kushdo që tenton të pengojë apo intimidojë qoftë dhe një qytetar të vetëm.

Protesta nesër do të jetë paqësore, por e vendosur dhe e pathyeshme”.

Protesta është paralajmëruar të zhvillohet në disa rrethe, me bllokimin e akseve rrugore nga ora 11 deri në orën 12.

Në Tiranë, protestuesit do të qëndrojnë në Sheshin Shqiponja dhe kryqëzimin e teknologjikut. Do të bllokohen aksi kryesor drejt jugut në rrethrrotullimin e Plugut në Fier – Lushnje, aksi Tiranë – Shkodër për në veri pranë kryqëzimit të Milotit, ndërsa protestuesit e Juglindjes kanë zgjedhur rrethrotullimin e Bradasheshit pranë Ellbasanit.

Tv Klan