lushnje

Edhe pse një qytet i vogël e me pak rrugë, qarkullimi i automjeteve në qytetin e Lushnjes është një kaos i vërtetë.

Makinat futen kundra – tabelë në mes të ditës. Parkojnë në rrugë kryesore e dytësore në kundërshtim me ligjin, mu poshtë tabelave që tregojnë qartë se qëndrimi është i ndaluar. Pjesë e shkeljeve bëhet edhe vetë policia. Drejtues automjetesh manovrojnë rrezikshëm nëpër kryqëzime dhe askush nuk i ndalon.

 Mjafton një vëzhgim i thjeshtë e konstaton me dhjetëra shkelje që e bëjnë kaotik dhe të rrezikshëm qarkullimin në këtë qytet. Dy – tre policë që janë nxjerrë nëpër kryqëzime, më shumë sesa për të vendosur rregull, duken të interesuar për diçka tjetër.

Nuk sheh asnjë patrullë të policisë rrugore që të ndëshkojë sipas ligjit ata që shkelin hapur Kodin Rrugor, ata që vështirësojnë lëvizjen e makinave e këmbësorëve e ata që rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Dy ekfetivë e provojnë indiferencën që ka zënë policinë rrugore të Lushnjes ndaj shkelësve te ligjit. Asnjëri prej tyre nuk bën përpjekjen më të vogël, siç e detyron ligji, për të ndëshkuar me gjobë këto makina që janë parkuar në të njëjtën rrugë ku patrullojnë.

Qytetarët ankohen për zaptim të hapësirave publike nga makinat që parkojnë në vende ku nuk lejohet dhe askush nuk i ndëshkon. Këtë situatë, që është e përditshme, policia rrugore e Lushnjes duket se s’ka interes ta shohë.

Policët e saj, që paguhen me taksat e qytetarëve, duket se detyrë kryesore kanë të fshihen pas kthesave apo poshtë kaçubeve përgjate autostradës për të kapur ndonjë makinë që lëviz me shpejtësi, për ta ndaluar larg syve e njerëzve kushedi për çfare qëllimi, por sigurisht jo atë të kryerjes së detyrës. Pasi shkelësit i kanë brenda në qytet dhe s’kanë nevojë t’i gjejnë befasishëm në autostradë. Transparenca duket qartë se nuk u pëlqen policëve të Lushnjes, pasi nuk ngurrojnë të përdorin edhe fjalor ordiner ndaj gazetarëve kur shohin se po filmohen me kamera.

Tv Klan