Vazhdon cirku i Policisë Rrugore me qytetarët e Tiranës. Pa asnjë paralajmërim paraprak, për të dytën ditë radhazi, Policia Rrugore, që ka për detyrë mbarëvajtjen e qarkullim rrugor dhe jo bllokimin e saj dhe sorollatjen e qytetarëve nëpër rrugë dytësore të paasfaltuara, ka bllokuar hyrjen e Unazës se Re, në drejtim të kryeqytetit.

Serish shkak kanë gjetur pikënisjen e një gare çiklistike.

Përveç dhjetëra makinave që janë detyruar të futen në një rrugë plot gropa e pluhur, e detyruar për këtë gjë ka qenë dhe kjo autoambulanca që transportonte nga qyteti i Korçës një pacient në gjendje të rëndë për jetën.

Por ndërkohë që në një rast normal, Policia Rrugore do duhej t’i hapte rrugën drejt spitalit, rrugorët e kanë bllokuar pa pikën e brerjes së ndërgjegjes dhe moralit njerëzor dhe profesional, duke e detyruar të futet në një rrugë plot me makina dhe me trafik të rënduar.

Bllokimi i rrugëve dhe arterieve të rëndësishme të qarkullimit në hyrje dhe brenda kryeqytetit, është kthyer tashmë në një gjë normale, ku si autoritetet vendore, ashtu dhe Policia Rrugore, nuk pyesin më për qytetarët dhe problemet apo nevojat e tyre për qarkullim normal.

Tv Klan