Tiranë- Policia e Tiranës ka dhënë detaje të reja sa i përket vdekjes së nënës 35-vjeçe dhe foshnjës së saj, të porsalindur, në maternitetin “Koço Glozheni”.

Sipas policisë rreth orës 06:00, mjekët e këtij spitali kanë lajmëruar tek numri 112 se kanë një konflikt në pavionin e urgjencës.

Në momentin e arritjes së shërbimeve në urgjencën e spitalit policët kanë konstatuar derën e pavionit të dëmtuar si dhe xhamat.

Gjithashtu mjekët kanë sqaruar se ka vdekur foshnja e porsalindur, dhe familjarët e irrituar kanë shkaktuar dëmet në pavion.

Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes policia ka marrë vëllain e viktimës në komisariat për një deklaratë.

Po ashtu, sipas policisë, rreth orës 07:00 mjekët e spitalit kanë njoftuar se ka vdekur edhe nëna 35-vjeçe Aida Koçi, banuese në Tiranë.

Dy prokurorë ka tërhequr regjistrat e spitalit dhe janë shoqëruar për të dhënë deklarata mjekët që kanë qenë në punë./tvklan.al