Pas marrjes së dëshmive të tre zyrtarëve të Partisë Demokratike, Albert Veliut, Agron Xhafajt dhe gazetarit Jetmir Olldashi, puna e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për çështjen “Xhafaj” fokusohet në Vlorë.

Në qytetin bregdetar, sipas audiopërgjimit, janë bërë bisedat e pretenduara mes Albert Veliut e Agron Xhafajt.

Gjithashtu po në Vlorë, gazetari dhe Veliu kanë takuar disa persona, të cilëve u kanë kërkuar të blejnë kanabis. Në bazë të këtyre të dhënave, dy oficerë të Krimeve kanë qenë në Vlorë, në përpjekje për të identifikuar personat e përmendur në audio-përgjim dhe dëshmi,  me qëllim për t’i marrë në pyetje, pasi deponimet e tyre konsiderohen të rëndësishme për hetimin.

Grupi hetimor do të verifikojë edhe disa kamera sigurie të disa lokaleve në Vlorë, ku gazetari Olldashi dhe Veliu pretendojnë se kanë qëndruar.

Mes tyre është edhe lokali ku pretendohet se është bërë përgjimi.

Një tjetër veprim që po kryhet nga Prokuroria dhe është edhe verifikimi i të gjithë efektivët e policisë me emrin Ermal në Vlorë, gjatë viteve 2017-2018.

Sipas audiopërgjimit, Agron Xhafaj e drejton Albert Veliun për të mundësuar trafikun e drogës tek “Ermali’. Sipas burimeve, kjo do të shërbejë për të verifikuar nëse Ermali është apo jo punonjës policie. Prokuroria ka sekuestruar të gjithë materialin që gazetari Jetmir Olldashi ka xhiruar dhe pajisjen me të cilën është bërë.

Hetuesit ende nuk kanë vendosur se çdo të bëhet me materialin dhe kur do të bëhet ekspertimi i tij. Nuk sqarohet nëse do të dërgohet në laboratorin e Policisë Shkencore, apo do të kontraktohet një laborator i huaj.

Tv Klan