Marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për letërnjoftimet e përshëndeti edhe klasa politike në Prishtinë dhe Tiranë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falenderuar SHBA-në dhe BE-në për mbështetjen e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke shtuar se reciprociteti nënkupton barazi.

Një nga protagonistët e kësaj marrëveshje, kryeministri Albin Kurti në një reagim në rrjetet sociale sqaroi se me dakordësinë e arritur bëhet e mundur që qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi të lëshuara nga institucionet kosovare, do të mund të kalojnë pa pengesa, kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Ai shpjegoi se e njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët serbë që do udhëtojnë për në Kosovë.

Në Shqipëri Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ndërsa vlerësoi marrëveshjen e arritur tha se ajo është në interesin e të gjitha palëve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një postim në Twitter nënvizoi se zgjidhja me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës është një lajm i bukur, ndërsa uroi që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike.

Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se problemi i krijuar nga pala serbe u zgjidh mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit ashtu siç ishte kërkuar nga qeveria e Kosovës.

Me nota pozitive për arritjen e marrëveshjes u shpreh edhe Ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka.

Tv Klan