Kapet dhe arrestohet autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 10.09.2017, ku është qëlluar me armë automjeti i shtetasit P. P.

Sekuestrohet lëndë narkotike e dyshuar e llojit “heroinë”, armë zjarri e llojit “pistoletë” me silenciator, lëndë eksplozive me kapsolle detonatore, granatë luftarake dhe municion.

Shërbimet e policisë te Komisariatit të Policisë nr. 4, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura me parë, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, organizuan zhvilluan dhe finalizuan operacionin e koduar “Silenciatori”.

Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– E.S. 53 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë të komisariatit nr.4, në banesën e shtetasit të mësipërm, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

– 1 kallëp tritoli i montuar me kapsollë detonatore elektrike

– 1 granatë difensive

– 1 armë zjarri e llojit Pistoletë “Zastava”, kalibri 7.65 mm, me krehër me 3 fishekë

– një silenciator që përdoret për armë zjarri

– një qese transparente me pluhur të kuqëremtë me lëndë narkotike të dyshuar “Heroinë”.

Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas është autor i ngjarjes së ndodhur më datë 10.09.2017, ku në rrugën “Muhamet Deliu”, është qëlluar me armë automjeti i shtetasit P. P.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga nenet 283 dhe 278 të Kodit Penal.