Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha, u arrestua mbrëmjen e të hënës për korrupsion. 57 -vjeçari i lindur në Berat dhe banues në kryeqytet, u kap për shkak se i kishte marrë 600 mijë lekë një biznesmeni për ta favorizuar, në një gjyq civil për çështje pronësie.

Bashkë me të, në operacionin e koduar me emrin “Berati 2”, u arrestua djali i tij, Ledion  Hoxha, 25 vjeç, me detyrë Jurist në një kompani, Novruz  Gajda, 48 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë,  ish-polic në policinë e Beratit dhe Dritan Jazenxhiu, 48 vjeç, biznesmen, banues në Tiranë.

Prokuroria sqaron se nga hetimi i Krimeve të Rënda, i nisur 6 muaj më parë, në koordinim në terren me policinë e Tiranës, u zbulua se biznesmeni Jazexhiu ka nisur kontaktet me gjyqtarin nëpërmjet Novruz Gajdës, i cili ishte i njohur i të dyve.

Mesditën e të hënës, Gajde komunikon me gjyqtarin, me të cilin flet për një “gjashtëshe”, duke e lidhur këtë me procesin civil në të cilin ishte palë shtetasi Jazexhiu, i cili ishte do të shpallej mëngjesin e sotëm në orën  9:30,  në Gjykatën e Tiranës.

Pas këtij komunikimi ai takohet biznesmeni Dritan Jazexhiu, në lokalin e këtij të fundit dhe shkëmbejnë një sasi parash.

Pasdite, pas një komunikimi me gjyqtarin, Gajde takon në një automjet djalin e gjyqtarit, Ledjon Hoxhën.

Pasi janë ndarë, Hoxha ndalohet nga policia që po e mbante nën vëzhdim dhe i gjen në makinë 600 mijë lekë të reja.

Më pas u arrestua gjyqtari Ibrahim Hoxha, i kapur në një lokal pranë Prokurorisë së Tirnanës, Novruz Gajde që po largohej pasi i dha paratë djalit të gjyqtarit dhe Dritan Jazexhiu.

Të arrestuarit i kanë mohuar akuzat gjatë marrjes në pyetje, gjyqtari  Hoxha ka thënë që shuma prej 600 mijë lekësh ishte për shitjen e automjetit të tij tek  biznesmeni.

Burime nga policia bëjnë me dije se gjyqtari  Hoxha dhe biznesmeni Dritan Jazexhiu kishin njohje të mëparshme me njëri-tjetrin , kur ky i fundit i arrestua  disa muaj më parë për vjedhje të energjisë elektrike dhe është lënë i lirë me detyrim paraqitje nga i njëjti gjyqtar.

Biznesmeni 48 vjecar ka patur konflikte të hershme pronësie me familjarët e tij. Më 11 shtator të vitit 2014 ai mbeti i plagosur në një atentat pranë dyqanit të tij në rrugën “5 maji” në Tiranë. Atentatorët qëlluan 16 herë me automatik nga një automjet në lëvizje, por ai u godit vetëm nga një plumb.

Tv Klan