Prej një viti, policët e Maliqit, enden nga një ambient në tjetrin, pa mundur të sistemohen në një ndërtesë të përshtatshme. Godina që dikur shërbente si postë policie, sot është jashtë funksionit dhe qëndron e mbyllur.

Si zgjidhje e përkohshme është gjetur një zyrë në ambientet e ish-kombinatit të sheqerit, e cila më tepër i ngjan një depoje drush.

Specialisti i rendit, pret dhe sqaron ndonjë qytetar në ambientet e jashtme të ish-kombinatit.

Kthimi i postave të policisë në komisariate, sikundër edhe ajo e Maliqit, kishte për qëllim t’i përshtatej ndarjes së re administrative, në funksion të rritjes së parametrave të rendit dhe sigurisë.

Por sot, banorët e Bashkisë së Maliqit, për të bërë një denoncim duhet t’i drejtohen komisariatit të Korçës, aty ku janë vendosur të gjithë efektivët, sipas sektorëve respektivë.

Mungesa e një ndërtese të përhershme, ka sjellë probleme për reagimin në kohë në raste ngjarjesh, pasi efektivëve ju duhet të bëjnë ecejake disa herë në ditë nga Maliqi në Korçë.

Përpos kësaj, personat që duhet të shoqërohen dërgohen në komisariatin e Korçës, duke mbipopulluar dhomat e shoqërimit të ketij komisariati.

Edhe pse Bashkia e Maliqit numëron mbi 80 mijë banorë dhe është e dyta në nivel qarku sa i përket numrit të veprave penale të regjistruara, projekti për godinën e komisariatit ende nuk po gjen mundësi për tu financuar./ABC News