Nishani1Institucioni i Presidentit të Republikës reagoi pas një letre të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ku shprehej pakënaqësia për vendimet e dhëna nga disa gjykatës në vend.

Në këtë letër, Tahiri kërkon që kreu i shtetit të vërë në lëvizje KLD-në dhe të marrë masa ndaj këtyre gjykatësve.

Por në përgjigjen që publikon Kabineti i Presidentit të Republikës thuhet se, pasi u njoh sot me informacionin e Ministrit të Punëve të Brendshme, e siguron atë se Institucioni i Presidentit të Republikës do ta përcjellë këtë ankim tek Ministri i Drejtësisë, duke i kërkuar këtij të fundit të kryejë me shpejtësi të gjitha verifikimet e nevojshme dhe si autoriteti i vetëm që ligji njeh për fillimin e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve që shkelin ligjin, të fillojë procedimin disiplinor për të gjitha rastet e konstatuara me shkelje.

Institucioni i Presidentit të Republikës nënvizon se do të dëshironte të shihte një koordinim dhe bashkëveprim të drejtpërdrejtë midis ministrave të qeverisë për çështjet që ligji i ngarkon, por mbetet i gatshëm të angazhohet për ta lehtësuar këtë bashkëpunim të tyre.

Në reagim thuhet se Institucioni i Presidentit të Republikës, duke e konsideruar reformën në drejtësi si një nevojë të madhe për qytetarët shqiptarë, nxit Qeverinë Shqiptare që në vijim të konkluzioneve dhe rekomandimeve të Konferencës së 6 Tetorit, të inicuar nga Presidenti, të paraqesë sa më parë një Platformë për këtë reformë dhe Planin e Veprimit për realizimin e saj.

Presidenti kërkon të nisë sa më parë konsultimi me Komisionin e Venecias, Komisionin Evropian, misionet ndërkombëtare të SHBA dhe BE si dhe aktorët vendas, për të patur një rezultat konkret të kësaj reforme.

Tv Klan