Facebook pohon se gjysma e votuesve amerikanë kanë lexuar informacionet e financuara nga Rusia gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar në SHBA. Të dhënat publikohen një ditë pas ngritjes së padisë penale ndaj ish-kreut të stafit elektoral të Trampit, Pol Manafort.

 Të paktën gjysma e votuesve amerikanë kanë lexuar informacionet e sponsorizuara nga Rusia, gjatë fushatës presidenciale amerikane të vitit të kaluar. Këtë e pohon rrjeti më i madh social i botës Facebook, përmes një deklarate me shkrim, dërguar komisionit të drejtësisë në Senatin Ameirkan që po heton skandalin Russiagate.

 Sipas Facebook, për periudhën qershor 2015 – gusht 2017, në këtë rrjet social kanë qarkulluar rreth 80 mijë postime me informacione të sponsorizuara nga Moska, që janë lexuar nga 128 milionë votues amerikanë. Të shumta kanë qenë gjithashtu edhe informacionet e shpërndara në të tjera media gjigande sociale si Twitter dhe Alfabet, drejtuesit e të cilëve do të dëshmojnë gjatë kësaj jave në komisionet hetimore parlamentare.

Po ashtu motori më i madh global i kërkimit në internet Google ka zbuluar dy llogari të krijuara nga një agjenci kërkimore në internet me qendër në Rusi, prej të cilave janë shpenzuar 4700 për publikimin dhe shpërndarjen në internet informacioneve që kishin të bënin me zgjedhjet presidenciale amerikane të 8 nëntorit 2016. Me mijëra përllogariten edhe llogaritë në Twitter e Youtube që kanë gjeneruar të tilla informacione. Megjithatë, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov ka hedhur poshtë akuza të tilla, duke i konsideruar ato si “Fantazi” të sajuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa.

 Një ditë më parë, prokurorët amerikanë vendosën masën e sigurisë arrest shtëpie për ish-kreun e fushatës së Trumpit, Pol Manafort dhe disa bashkëpuntorë të tij. Ata dyshohen se kanë marrë financime nga Moska, që ka pasur për qëllim të ndikojë në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke zgjedhur president republikanin Donald Trump./ABCNews