Këto duartrokitje janë për ata, që prej dekadash i dhuruan dhe vazhdojnë t’i dhurojnë spektatorit profesionalizmin e të bërit teatër dhe kinema.

Për gjithë rolet që ata mishëruan, për modelin e artistit që ndërtuan dhe për të cilin sot emrat e tyre qëndrojnë denjësisht në panteonin e artit skenik, Presidenti i Republikës i nderoi me dekoratën

“Gjergj Kastriot Skënderbeu”,

pas vdekjes Sulejman Pitarkën, Kadri Roshin, Ndrek Lucën, Sandër Prosin dhe Violeta Manushin dhe bashkudhëtarët e tyre, që përbëjnë një referencë të gjallë për brezin e ri, Robert Ndrenikën dhe dy të bukurat zonja të skenës shqiptare, Tinka Kurti e Margarita Xhepa.

Duke e quajtur një privilegj, jo vetëm si President i Republikës, por edhe si individ, Bujar Nishani e vlerësoi këtë plejadë të aktorëve, si kolosë të civilizimit.

Për të falënderuar edhe një herë përmes duartrokitjeve misionin e tyre, në krijimin e një historie të kinemasë dhe teatrit, ishin të ftuar edhe ata që qëndrojnë pas perdes e prozhektorëve, regjisorët, skenaristët dhe familjarët e artistëve që nuk jetojnë më.

Tv Klan