Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov refuzoi dekretimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve të pakicave, i njohur gjerësisht si ligji i gjuhës shqipe. Sipas tij, ligji rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve, i miratuar më 11 janar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, u bë pa një debat publik, pa hulumtim shkencor dhe pa opozitën. Me përdorimin e simbolit europian në këtë ligj, Maqedonia do të jetë shteti i vetëm që i vendos kushte vetvetes për anëtarësim në BE. Kjo u keqpërdor për sjelljen e këtij ligji me procedurë të shkurtër dhe në dëm të interesave të shtetit dhe popullit maqedonas.”

Edhe më herët presidenti Ivanov kishte shprehur rezerva rreth ligjit për gjuhën shqipe, duke lënë të kuptohet se do ta bllokonte dekretimin e tij. Javën e kaluar parlamenti i Maqedonisë miratoi me 69 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, ligjin për shndërrimin e shqipes në gjuhë të dytë zyrtare. Në votim munguan deputetët opozitarë të VMRO-DPNE-së, të cilët kërkuan shtrirjen e debatit nëpër komisione parlamentare. Ligji ishte shtruar për diskutim prej muajit shtatorit dhe ishte pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LSDM-së dhe partive shqiptare.

Tv Klan