Presidenti Ilir Meta u takua sot me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në shtetin fqinj.

Presidenti Meta e uroi edhe njëherë Xhaferi për marrjen e detyrës së Kryetarit të Asamblesë dhe theksoi se ndjehet krenar që për herë të parë një përfaqësues i spikatur i shqiptarëve të Maqedonisë është në krye të Parlamentit, si dhe nënvizoi se kjo është edhe një përgjegjësi e madhe.

Presidenti Meta inkurajoi kryeparlamentarin Xhaferi për të qenë më kontribues për bashkëjetesën politike dhe ndër-etnike në Maqedoni.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se faktori shqiptar në Maqedoni është një faktor shumë i rëndësishëm stabiliteti dhe i orientuar qartë nga BE dhe NATO. Në këtë kuadër, Presideti Meta shprehu besimin se shumë shpejt Parlamenti i Maqedonisë do të miratojë edhe ligjin mbi përdorimin e gjuhës shqipe.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi momentin e rëndësishëm ku ndodhet Maqedonina dhe rishprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO.

/tvklan.al