Nishani

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi pati një ndalesë edhe në Komunën me shumicë shqiptare të Tuzit. Ai vizitoi Shkollën 9 -vjeçare Mahmut Lekiç, ku iu rezervua një pritje e veçantë.

Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen për mësuesit e kësaj shkolle, por edhe për të gjithë ata që me përkushtim dhe pasion u kanë mësuar e trashëguar brezave të rinj gjuhën, kulturën dhe traditat e lashta shqiptare.

Ai theksoi se një nga vlerat e çmuara të shqiptarëve ndër shekuj ka qenë respekti ndaj tjetrit, nga ku buron dhe e drejta legjitime e universale për t’u respektuar në mënyrë reciproke.

Në Tuz, Presidenti Nishani u takua edhe me Kryetarin e Komunës dhe përfaqësues të partive politike. Ai i informoi ata mbi takimet e zhvilluara me përfaqësuesit më të lartë të shtetit malazez dhe mbi mesazhet e përcjella.

Duke vlerësuar rolin e komunitetit shqiptar në Mal të Zi, si një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe urë lidhëse mes dy vendeve, Presidenti Nishani theksoi se gjeti mirëkuptim dhe angazhim maksimal nga drejtuesit më të lartë shtetërorë për të adresuar kërkesat e shqiptarëve në Mal të Zi.

Kreu i Shtetit nënvizoi se do të mbështesë dhe ndjekë në vijimësi trajtimin e çështjeve që u diskutuan gjatë vizitës në Mal të Zi, ashtu sikurse vlerësoi maksimalisht rolin tejet pozitiv që faktori shqiptar luan në procesin e integrimeve evropiane e euroatlantike të Malit të Zi.

Presidenti Nishani pasi u njoh me problematikat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Malit të Zi dhe përfaqësuesit e tyre politikë, në nivel qendror dhe lokal, përcolli vlerësimet për kontributin e çmuar ndër vite që shqiptarët në Mal të Zi, por edhe në të gjithë rajonin, kanë dhënë në dobi të paqes e sigurisë në Ballkan. Ai porositi që të punohet pa ndalur për ruajtjen, promovimin dhe pasurimin e identitetit kombëtar.

Kreu u shtetit e përmbylli vizitën e tij zyrtare në Mal të Zi, me disa takime të zhvilluara në Ulqin. Ai takua me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Fatmir Xheka, më pas u prit nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve si dhe bëri homazhe në varrin e heroit Ymer Prizreni.

Tv Klan