Në mbyllje të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një takim me përfaqësues të shoqatave të komunitetit shqiptar. Kreu i shtetit e vuri theksin në mënyrë të veçantë tek roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare në konsolidimin e urave të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve.

Presidenti Nishani tha se arritjet e deritanishme të Shqipërisë, anëtarësimi në NATO, vijimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe progresi social-ekonomik nuk mund të konceptohen pa kontributin e madh dhe të pazëvendësueshëm të emigrantëve shqiptarë.

Bujar Nishani, President i Republikës:

“Të gjitha këto arritje pozitive të vendit tonë nuk mund të konceptohen dhe të pranohen pa kontributin e madh dhe të pazëvendësueshëm të emigracionit shqiptar jashtë vendit, të sakrificave, përkushtimit dhe angazhimit tuaj jetik. Duhet të ndihemi të gjithë së bashku jo vetëm me fat e të privilegjuar, por mbi të gjitha edhe krenarë që jemi shqiptarë! Ju jeni pasqyra më e mirë e vlerave dhe virtyteve tona kombëtare, e traditës historike dhe meritave atdhetare të njërit prej kombeve më të lashtë të këtij rajoni.”

Kreu i shtetit u shpreh se emigrantët shqiptarë jo vetëm janë integruar në shoqërinë italiane, por janë kthyer edhe në kontributorë aktivë në fushën e biznesit, si dhe atë të kulturës e sportit. Në ruajtje të gjuhës dhe identitetit kombëtar, Presidenti sugjeroi edhe ngritjen e një instituti të kulturës shqiptare në Itali.

Bujar Nishani, President i Republikës:

“Ka ardhur koha që edhe në Itali të ngrihet dhe të hedhë shtat me dinjitet një Institut serioz i Kulturës shqiptare, që veç përhapjes së dijeve, arsimit dhe kulturës, të përçojë edhe visaret tonë të rralla e të vyera të harmonisë, respektit dhe bashkëjetesës shumëshekullore ndërfetare.”

Një ditë më parë Presidenti Nishani u takua në Romë me homologun e tij italian, Serxhio Matarella, si dhe zhvilloi takime edhe me Presidentin e Senatit italian, Pietro Grasso, si dhe Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Senatit, Pier Ferdinando Casini.

Tv Klan