nishani me obamenPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka marrë një mesazh urimi me rastin e Festës së Pavarësisë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Ai thekson rolin e Shqipërisë si partnere e palëkundur dhe kontribuese në sigurinë globale, ndërsa përgëzon Tiranën për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe përparimin në procesin e integrimit.

Në këtë mesazh ndër të tjera thuhet:

“Duke festuar pavarësinë tuaj, ne përshëndesim përparimin e mrekullueshëm që keni shënuar në ndërtimin e demokracisë në vend si dhe kontributin ndaj sigurisë, qëndrueshmërisë dhe begatisë ndërkombëtare në rajon dhe anembanë botës. Ju përgëzojmë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Suksesi i vendit tuaj në përparimin përgjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian e thellon qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe shërben si shembull për aspiratat euro-atlantike të fqinjëve tuaj.

Shqipëria është një partnere e palëkundur dhe kontribuuese për sigurinë globale. Ne i jemi mirënjohës kontributeve të rëndësishme të Shqipërisë dhënë në misionin e NATO në Afganistan, në përpjekjet ndërkombëtare në Ukrainë, qëllimeve humanitare dhe stabilizuese në Irak si dhe në luftën kundër kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe luftëtarëve të huaj. Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë Shqipërinë si aleate, mike dhe partnere të ngushtë. Urime për Ditën tuaj të Pavarësisë!” – përfundon mesazhi i Presidentit Obama drejtuar kreut të shtetit shqiptar.

Gjatë ditës, edhe ish-Presidenti i Komisionit Europian, Hosé Manuel Barroso, i ka dërguar një mesazh Presidentit të Repulikës, Bujar Nishani.

Duke iu drejtuar me fjalët “I dashur Zoti President dhe mik”, Barroso shkruan se “në ditët e fundit të mandatit të tij dhjetëvjeçar si President i Komisionit Europian, dëshiron ta falenderojë kreun e shtetit për bashkëpunimin e dobishëm përgjatë kësaj periudhe intensive, por edhe shumë shpërblyese, gjithashtu.

Ish-presidenti Barroso thekson se “ndihet veçanërisht i kënaqur me përparimin që është shënuar në fushën e zgjerimit dhe shpreh besimin se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të vazhdojë të zgjerohet e të thellohet në të ardhmen”.

Tv Klan