Kremlini thotë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka diskutuar në telefon me Mbretin e Bahrejnit, Hamad bin Isa al-Khalifa, për mospajtimin ndërmjet Katarit dhe disa shteteve arabe.

Në njoftimin e Kremlinit theksohet se Putin është shprehur për nevojën e dialogut direkt ndërmjet të gjitha qeverive të përfshira në këtë mosmarrëveshje.

Në deklaratë thuhet se mospajtimi po krijon ndikim negativ në Lindjen e Mesme.

Biseda është bërë me “kërkesën e Bahrejnit”, thotë njoftimi.

Muajin e kaluar, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti, i kanë shkëputur lidhjet me Katarit, për shkak të dyshimeve se ky vend e mbështet ekstremizmin islamik dhe Iranin.

Katari i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.