Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë i ftuar nga homologu i tij, Frank-Walter Steimeier.

Kjo vizitë përkon me 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Pas pritjes ceremoniale në Pallatin presidencial “Schloss Bellevue” dhe takimit zyrtar, ku mori pjesë dhe Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në një njoftim të shpërndarë nga zyra për shtyp e kreut të shtetit, thuhet se Presidenti i Republikës theksoi gjatë takimit dhe konferencës për shtyp se:

“Shqipëria u kushton një rëndësi shumë të veçantë marrëdhënieve me Gjermaninë dhe kjo vizitë do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të tyre. Me shumë kënaqësi konstatoj se Presidenti Steinmeier ka një vëmendje të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët.”

“Marrëdhëniet sot janë të shkëlqyera dhe të një bashkëpunimi strategjik, të cilat janë forcuar në këto 30 vjet, duke krijuar një perspektivë po aq të shkëlqyer dhe një klimë shumë të mirë për shtrirjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat”

– u shpreh Presidenti Meta.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen ndaj Gjermanisë për mbështetjen dhe ndihmën që ajo i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në anëtarësimin në NATO.

Të dy presidentët, duke veçuar kontributin e shqiptarëve në Gjermani, vlerësuan mbylljen e procedurave të ratifikimit nga të dy palët të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore.

Meta e siguroi Steinmeier për vazhdimësinë e zbatimin të reformës në drejtësi, si një prioritetet i qenësishëm për të ndërtuar një sistem gjyqësor funksional e për pasojë krijimin e një klimë më të mirë për bizneset dhe investimet vendase e të huaja.

Në këtë drejtim u theksua njëkohësisht nevoja e nxitjes së bizneseve dhe investitorëve gjermanë për të zgjeruar bashkëpunimin e tyre me Shqipërinë e për të rritur praninë e tyre në aspekte të ndryshme të jetës në vendin tonë.

Presidenti i Republikës, duke diskutuar për bashkëpunimin rajonal, u ndal veçanërisht në impaktin e rëndësishëm të Procesit të Berlinit për Shqipërinë si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, krijimin e një rajoni bashkëpunues, të sigurt, të qëndrueshme, të emancipuar dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian.

Steinmeier i vlerësoi shumë të rëndësishme marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, duke nënvizuar se kjo vizitë, nga të parat e Presidentit Meta jashtë shtetit, është dëshmia më e mirë e këtyre marrëdhënieve të veçanta.

Presidenti gjerman vlerësoi rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm të Shqipërisë, si faktor stabiliteti në rajon dhe si partner i besueshëm në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Presidenti i Republikës e ftoi gjithashtu Presidentin Steinmeier për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u prit me kënaqësi./tvklan.al