Një prej hoteleve më të shtrenjta dhe më luksozë të Riadit, Ritz-Carltoni me 5 yje, ku u akomodua edhe presidenti amerikan Donald Trump gjatë vizitës së tij në maj, është shndërruar në burg.

Princi i kurorës Mohamed bin-Salman, mesa duket ka urdhëruar që përkohësisht 11 princat e familjes së tij, ministrat dhe zyrtarët e lartë të arrestuar të dielën, të vuajnë dënimin aty. Kjo duket qartë nga disa filmime amatore që qarkullojnë në internet, të postuar pikërisht nga personat që ndodhen brenda hotelit luksoz.

Mediat ndërkombëtare citojnë zyrtarët sauditë, të kenë thënë se arrestimet e fundjavës së kaluar janë vetëm fillimi i një fushate të ashpër për të luftuar korrupsionin  me rrënjë.

Analistët e shohin këtë zhvillim, si një përpjekje të princit të kurorës Mohamet, për të zhdukur kundërshtarët politikë dhe çfarëdolloj opozite në vend. Mesa duket skenën politike e do të pastër, teksa përgatitet për të nisur një epokë të re në Arabinë Saudite, një parajsë financiare, turistike, inovacioni e luksi, e cila nuk do të varet më nga të ardhurat nga nafta.

Lufta politike duket qartë, pasi mes të ndaluarve është edhe biznesmeni miliarder i njohur botërisht Al-Valid bin Talal, një kundërshtar i mundshëm politik i tij, në Arabinë Saudite të re. Një lëvizje politike që presidenti amerikan Donald Tramp e ka mbështetur. Përmes postimeve në Twitter, Trump ka deklaruar se princi i kurorës dhe mbreti Salman e din çfarë bëjnë. Po ashtu ai u shpreh se ata po pastrojnë vendin nga njerëz që deri më tani e kanë rrjepur./ABC News