Vijon të jetë i rrethuar me mister rasti i zhdukjes së avokatit Besnik Muço. Thuajse të gjitha mediat italiane raportuan të shtunën, gjetjen e një kufome pranë brigjeve të Leçes, e cila dyshohet se është e avokatit shqiptar i zhdukur rreth dy javë më parë. Por të gjithë sytë janë drejtuar nga mjekësia ligjore, e cila pritet ta konfirmojë këtë pas nxjerrjes së rezultateve të analizave të ADN-së.

Mediat italiane raportuan se trupi i gjetur në det kishte dëmtime të mëdha. U hodhën madje dyshime se ishte pa kokë dhe nuk kishte rroba në trup. Rrethana, të cilat e vështirësojnë edhe më shumë identifikimin. Trupi aktualisht ndodhet në frigoriferin e morgut të Leçes.

Kufoma ishte zbuluar më 5 Nëntor në zonën e Punta Correnti jashtë portit të marinës së Castros. Por kushtet e këqija të motit kishin bere te pamundur nxjerrjen e trupit, deri të nesërmen kur ndërhynë ekipet e Rojes Bregdetare. Besnik Muço u zhduk që më datën 2 Nëntor të këtij viti, teksa u nis me tragetin e linjës Durrës-Bari, për të shkuar te familja e tij. Por që prej asaj dite humbi kontaktet me familjen dhe bashkëshortja e denoncoi zhdukjen tek autoritetet italiane dhe ato shqiptare.

Tv Klan