Në seancën e radhës të procesit ndaj deputetit Armando Prenga ka dëshmuar në Gjykatën e Lartë një efektiv i forcave “Shqiponja” të policisë së Tiranës. Dritan Beqiraj ka sqaruar se natën e ngjarjes ka qenë me shërbim në Spitalin e Traumës ku u sollën për kurim të plagosurit e ngjarjes në Laç.

Punonjësi i policisë deklaroi para Gjykatës se në këtë spital ka patur një konflikt verbal mes Armando Prengës dhe disa pjesëtarëve të fisit Cali.

Më pas Beqiraj ka deklaruar se i është kërkuar Prengës ta dërgojnë në një vend me të sigurt. Po në këtë seancë dëshmoi edhe roja i spitalit të Laçit.

Pashk Çoku ka qenë konfuz në dëshminë e tij pasi pjesës më të madhe të pyetjeve iu përgjigj me fjalën se nuk mbante mend asgjë.

Në seancën tjetër pritet të dëshmojnë tre anëtarë të familjes Cali. Deputeti Armando Prenga akuzohet për plagosje të rëndë, kanosje dhe armë mbajtje pa leje, pas sherrit të ndodhur për pronësinë e lagunës së Patoku. /TV KLAN