Masakra në qendrën tregtare të Mynihut nuk ka lidhje me ndonjë sulm terrorist, por është pasojë e një gjendje amoku të vrasësit.

Autoritetet gjermane identifikuan autorin që shkaktoi 9 të vdekur dhe mbi 20 të plagosur, disa prej tyre fëmijë. Ai është Ali Sonboly, një 18 – vjeçar gjermano – iranian, me probleme psiqike.

Në një deklaratë për shtyp, shefi i policisë së Mynihut, njoftoi se agresori kishte vepruar i vetëm dhe se nuk kishte  të dhëna për lidhje të mundshme mes tij dhe Shtetit Islamik. 18 – vjeçari përdori një pistoletë tip Glock të kalibrit 9 mm. Ai dyshohet se kishte planifikuar një masakër edhe më të madhe, pasi kishte me vete në çantë rreth 300 plumba.

Mediat e huaja raportojnë se shenjëstra e 18 – vjeçarit ishin kryesisht të rinjtë. Përmes një profili të rremë në Facebook, ai kishte bërë thirrje një ditë më parë se do të ofronte ushqim falas në Fast Food-in McDonald, pikërisht aty ku nisi masakra.

Në një dalje për shtyp, kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh mjaft e hidhëruar dhe tha se i gjithë vendi është në zi. Merkel u zotua se nuk do të ndalojë derisa të zbardhet e gjithë situata për të mësuar shkaqet.

Në total janë 5 të rinj e 4 të rritur viktimat e sulmit terrorist, ndërsa agresori u vetëvra me një plumb në kokë. Tre viktima të tjera janë nga Turiqia ndërsa një është nga Greqia.

Në një video ai debaton me një nga personat në një ballkon pranë qendrës. Ky i fundit e ofendon e thotë se është një iranian i ndyrë, ndërsa terroristi i përgjigjet se është gjerman dhe kërcënon se do ta vrasë.

Flamujt janë ulur në gjysmështizë në Gjermani, ndërsa autoritetet në landin e Bavarisë lajmëruan një ditë zie në kujtim të viktimave. Dhjetra gjermanë ndezën qirinj dhe vendosën lule në vendin e masakrës.

Tv Klan