Qeveria synon që brenda disa vitesh Shqipëria të kthehet në një destinacion për turizmin elitar. Paketa fiskale dhe dhënia e statusit “investitor special”, për grupet e hoteleve që do të afrohen për të ndërtuar në vendin tonë, do të rrisë numrin e restoreve dhe hoteleve me 4 e 5 yje dhe do të sigurojë marrëveshje me marka ndërkombëtare.

Në një intervistë për Televizionin Klan, Ministri Blendi Klosi thotë se gjitha këto nisma do të bëjnë që numri i turistëve të kategorisë së parë të sigurohen nga vetë grupet e hoteleve që do të vijnë në Shqipëri. 

“Nëse ne nuk tentojmë edhe të puntojmë në turizimin elitar, që sjell më shumë buxhet për ekonominë shqiptare do të dalim shumë shpejt jashtë këtij tregu, që për momentin është në kulmin e tij në rajonin e Mesdheut”.

Turizmi elitar do të zhvillohet në 4 zona që janë identifikuar me përparësi në zhvillimin e turizmit, përfshirë dhe atë malor në Alpe. Ministri Klosi sqaron se deri tani janë disa investitorë që kanë shfaqur interes.

“Në Alpet e Shqipërisë, në bregdetin tonë klasik, në bregdetin e jugut të ri dhe në zonat në të cilat ne e kemi përparësi zhvillimin e turizmit.”

Që të përfitosh statusin e “special” duhet një vlerë investimi minimale prej 8 milion euro.

“Për kuadër të hoteleve me 5 yje, do të jetë mbi 15 milion euro, për ato me 4 yje, në 7 – 8 milion euro. Garantojnë nëpërmjet emrit të tyre që ky investim dhe kjo lehtësi fiskale, shkon drejt një suksesi”.

Por çfarë humb Shqipëria nëse ul taksat për këtë kategori?

“Është një politikë e cila vetëm shton të ardhurat në buxhetin e shtetit.”

Përveç heqjes së një pjese të taksave, qeveria ka depozituar në Kuvend edhe nismën për të ndryshuar ligjin për turizimin.

Grupi investitor duhet të bashkëpunojnë me një markë të mirënjohur në arenën ndërkombëtare për t’u çertifikuar si i tillë, ku përveç vlerës së investimit, duhet të respektojë afatet për të përfunduar projektin.

Tv Klan