Kultivimi i drogës në Shqipëri dhe trafikimi i saj drejt Italisë, gjatë 2 viteve të fundit është trefishuar. Deklarata e fortë vjen nga kreu i Antimafias italiane, Franko Roberti, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë. Pas takimit me Kryeprokurorin Adriatik Llala, ai tha se për drogën shqiptare ka kërkesë të madhe në tregun italian për shkak të çmimit të ulët dhe afësisë mes dy brigjeve.

“Trafikimi i lëndëve narkotike ka ardhur në rritje në vitet e fundit, mes Shqipërisë dhe Italisë. Kemi nevojë që bashkë me kolegët shqiptarë të kuptojmë se cili është motivi i rritjes së këtij trafiku dhe në të njëjtën kohë çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar strategjitë dhe bashkëpunimin. Interesi ynë është të bashkëpunojmë për të gjetur mënyra për të luftuar trafikun. Prokurorët e Vlorës dhe të Krimeve të Rënda na kanë konfirmuar se prodhimi dhe trafiku i drogës që është kultivuar në Shqipëri është trefishuar. Arsyet janë dy: rritja e kërkesës ofertës, si dhe është më ekonomike të marrësh lëndë narkotike nga Shqipëria pasi është më afër se vende si Maroku. Në Itali luftohet gjithnjë e më tepër që në fazën e kultivimit, ndërkohë në Shqipëri nuk ndodh kështu”.

Kryeprokurori Llalla kërkoi forcim të bashkëpunimit për të ndalur trafikun dhe për të sekustruar pasuritë që vijnë droga.Vizita e kreut të Antimafias italiane në Tiranë vjen pas kapjes së disa tonelatave ne kanabis në brigjet italiane.

Tv Klan