Prokuroria Speciale e Kosovës i komunikon akuzat zyrtare 9 të dyshuarve të arrestuar për sulme terroriste, mes tyre edhe për organizimin e sulmit kundër lojtarëve dhe tifozëve të Izraelit gjatë ndeshjes me Shqipërinë.

ABC News ka mësuar se Prokuroria Speciale e Kosovës pritet t’i dërgojë në gjyq të 9 të dyshuarit, që kishin për qëllim frikësimin e popullit, të destabilizonin dhe të shkatërronin strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit.

Më pas, në bashkëpunim mes tyre të krijonin në Kosovë Shtetin Islamik, si dhe ishin urdhëruar nga pjesëtari i organizatës terroriste të ISIS-it Lavdrim Muhaxheri, i cili tashmë dyshohet se është vrarë, që të kryenin sulme terroriste.

Një nga urdhëresat e Muhaxherit, thuhet në vendimin e komunikimit të akuzave ndaj tyre, ishte edhe sulmi terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli, të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, për të zhvilluar dhe parë ndeshjen Shqipëri-Izrael më 12 Nëntor të vitit të kaluar.

Këto urdhëra, thuhet në materialet e prokurorisë së Kosovës, Muhaxheri i ka dhënë nëpërmjet bisedave telefonike me programet e sofistikuara të komunikimit që janë gjetur në aparatet celular të 9 të arrestuarve.

Gjatë këtyre bisedave janë transkiptuar edhe mesazhe ku Muhaxheri i premtonte paratë që do të niste për të blerë armët apo eksplozivin. Në materialin e prokurorisë, që tashmë i është dorëzuar edhe Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, thuhet se në banesat e disa të arrestuarve Policia e Kosovës ka gjetur rreth 300 gramë eksploziv dhe 500 gramë nitrat amoniati.

Nga ana tjetër Prokuroria e Kosovës ka vënë në dispozicion të Prokurorisë Shqiptare edhe komunikimet e disa prej 9 të dyshuarve me të arrestuarit në Shqipëri. Ndërkohë, sipas vendimit të caktimit të masës së sigurisë ndaj të arrestuarve në Shqipëri për sulmin terrorist gjatë ndeshjes së futbollit, nuk është evidentuar ndonjë provë konkrete apo fakt që përfshijnë të dyshuarit në këtë sulm./Abc News