Prokuroria e Krimeve të Rënda i quan sulm politik me qëllim intimidimin e saj deklaratat e bëra nga Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e Grupit Parlamentar socialist.

“Prokuroria për Krime të Rënda rithekson qëndrimin e saj se deklaratat politike nuk e kanë intimiduar dhe nuk mund ta intimidojnë aktivitetin e saj hetimor. Prokuroria për Krime të Rënda e ka të qartë se, që në fillimet e këtij hetimi, do të përballej me goditje frontale politike, për shkak se personi nën hetim është ish-ministri i Brendshëm dhe aktualisht deputet i Parlamentit të Shqipërisë”.

Duke i qëndruar kerkesës së saj për arrestimin e Saimir Tahirit, nën akuzat për trafik droge si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe korrupsion, prokuroria thotë se kryeministri në këtë rast mori rolin e gjykatësit, duke ndërhyrë në hetime. Organi i hetimit i kujton kreut të qeverisë rastet e ngjashme të hetimeve të zyrtarëve të lartë në Kroaci e Rumani, ndërsa shprehet se po heton edhe dosje të tjera të krimit të organizuar.

“Pra, në mënyrë publike, Kryeministri mori rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj.

Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika. 

Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi. Gjithashtu, përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende, si Rumania e të tjerë. 

Nëse hetimet e Prokurorisë do të shoqërohen me ndërhyrje flagrante të politikës, atëherë qëllimi i Reformës në Drejtësi për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivele të larta, do të jetë një sfidë e cila nuk do të përballohet me sukses. 

Gjithsesi, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon hetimet e saj, si për rastin konkret, ashtu edhe për çështje të tjera të krimit të organizuar dhe grupeve të strukturuara kriminale”.

Prokuroria e mbyll reagimin e saj duke thene se deklaratat politike dhe sidomos presionet indirekte me procesin e Vettingut, nuk mund dhe nuk do të mund të cënojnë proceset hetimore.

Tv Klan