Për herë të parë nga e mërkura e javës së kaluar banorët e zonës së Ascoli Piceno kaluan një natë të qetë.

Në zonë nuk pati lëkundje të forta tërmeti por shumica e 2500 personave të mbetur të pastrehë janë detyruar të kalojnë natën jashtë. Numri i viktimave është 190, rreth 400 janë të plagosurit mes të cilëve janë edhe 5 shqiptarë.

14 trupa janë ende të paidentifikuar dhe për 5 prej tyre do të duhet të kryhet analiza e ADN-së. Në rrënoja vijojnë gërmimet, por shpresat për të gjetur të tjerë të mbijetuar janë të pakta. Autoritetet thonë se janë rreth 15 persona të zhdukur.

Dy prokurori, ajo e Ascolit dhe ajo e Rietit kanë hapur hetimet për të zbuluar shkakun e një numri kaq të madh ndërtesash të rrëzuara. Një ndër rastet që do të merret në analizë është shkolla e Amatrices e cila ishte rikostruktuar në vitin 2012, por u shemb e gjitha në tokë. Do të hetohen materialet e përdorura për ndërtimin e saj, si dhe procedurat e ndjekura.

“La Republika” shkruan se ka dyshime që në rindërtimet e kohëve të fundit të ketë pasur abuzime, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e korrupsionit apo infiltrimit të elementëve kriminalë në këtë proces. Për këtë shkak do të ketë një koordinim me Prokurorinë speciale antimafia.

Të shtunën i gjithë vendi ishte në zi, pasi u përcollën në banesën e fundit viktimat. Në ceremonitë e organizuara morën pjesë edhe Presidenti Serxho Matarella dhe Kryeministri Mateo Renzi.

Tv Klan