Fjorida-baraulli

Pamjet e kamerave të sigurisë së ambienteve të parlamentit, të siguruara nga TV Klan, tregojnë qartë se Arben Ndoka e godet dy herë deputetin demokrat Gent Strazimiri.

Pas pak sekondash, ai goditet në befasi edhe nga deputeti tjetër socialist Pjerin Ndreu. Në bazën e këtyre pamjeve dhe të kallzimit penal të bërë nga PD, prokuroria i ka marrë dy deputetët socialistë të pandehur.

Fjorida Ballauri (Drejtoresha e Kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme)

Hetimet vërtetuan se gjatë kohës kur deputeti Gent Strazimiri ishte në ambientet e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë, pranë sallës plenare, ai është goditur me grusht nga deputeti Arben Ndoka. Pak momente më vonë deputeti, Gent Strazimiri është goditur edhe nga deputeti Pjerin Ndreu. Bazuar në veprimet hetimore, rezulton se deputeti Strazimiri është goditur për shkak të deklaratave politike që ka bërë në seancën e datës 10 korrik 2014. Në përfundim të veprimeve hetimore, Prokuroria ka vendosur që të marrë si të pandehur deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Goditjes për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal”.

Ky rast u bë shkak që opozita të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet me kuvendin, për një kohë të papërcaktuar.

Prokuroria ka marrë të pandehur edhe deputetin demokrat, Astrit Veliaj, por jo për këtë rast. Ai do të akuzohet për ngrijen e një ndërtimi pa leje në qytetin e Fierit.

Fjorida Ballauri (Drejtoresha e Kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme):

Nga ana tjetër, hetimi për procedimin tjetër ndaj shtetasit Astrit Veliaj ka nisur në bazë të kallëzimit të një qytetareje nga Fieri, e cila pretendon se subjekti UFO sh.p.k, ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme në pronën e saj një ndërtesë 4 dhe 6 kate, në një sipërfaqe 11.000 m2. Kjo ndërtesë është ngritur me qëllim ushtrimin e një aktiviteti privat nga subjekti UFO shpk, i cili rezulton se është në pronësi dhe administrim të deputetit Veliaj. Bashkia e Fierit, në kuadër të veprimeve hetimore për këtë procedim penal, konfirmon zyrtarisht se nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtim në këtë zonë. Gjatë hetimit ka rezultuar se kjo ndërtesë ka zënë edhe një hapësirë, e cila është në inventarin e Ministrisë së Brendshme”.

Materialet në ngarkim të tre deputetëve të pandehur i janë përcjellë Gjykatës së Lartë, e cila është dhe kompetente për gjykimin e zyrtarëve të këtij niveli.

Tv Klan