Llalla_te_RamaProkurori i Përgjithshëm, Ministri i Brendshëm, kreu i Komisionit të Sigurisë dhe Kryeparlamentari Ilir Meta janë thirrur në një takim nga Kryeministri Rama në zyrën e këtij të fundit rreth orës 9.30

Takimi nuk ka zgjatur më shumë se 30 minuta dhe vjen vetëm një ditë pas deklaratës bombë të Deputetit Tom Doshi, pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar socialist, se Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte paguar për vrasjen e tij dhe Deputetit të opozitës Mhill Fufi.

Të gjithë pjesëmarrësit në takimin e sotëm, sipas Deputetit Doshi janë informuar 5 muaj më parë mbi atentatin që po i përgatitej dy deputetëve. Megjithatë ai tha se asnjë institucion nuk reagoi.

Mbi atë çka u diskutua në takimin në selinë e Kryeministrisë nuk ka asnjë njoftim zyrtar.

Por menjëherë pasi doli nga zyra e Kryeministrit Rama, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka urdhëruar Prokurorinë për Krime të Rënda të nisë hetimin kryesisht mbi deklarimet e Z. Tom Doshi të cilin e fton të paraqes provat që ai disponon në lidhje me akuzat e bëra një ditë më parë.

Prokuroria shprehet se vlerëson mbështetjen dhe inkurajimin e partnerëve ndërkombëtarë në përmbushje të misionit të saj për evidentimin, hetimin dhe dërgimin para drejtësisë të personave që kryejnë vepra penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe zyrtarët publikë të çdo niveli.

Vetë Kryeministri Rama, në një postim në rrjetet sociale pas këtij takimi, duke reaguar edhe mbi qëndrimin e opozitës, akuzoi Partinë Demokratike se për të mbijetuar bën sa më shumë shpifje.

Kryeministri thekson se njerëzit e ndershëm, të mbajtur kaq vjet peng në gjithë llumin e akuzave dhe shpifjeve të kthyera rendom në telenovela, duan vetëm të vërtetën. Dhe të vërtetën sipas tij, mund ta thotë vetëm një hëtim i plotë i organeve të drejtësisë.

Por kreu i qeverisë shpreh bindjen, se ajo që ai e quan si telenovelë të shëmtuar që nisi dje dhe që sipas tij ka bërë bashkë për të përbaltur qeverinë dhe shumicën parlamentare, një tufe politikejsh e kriminelësh që duan të përfitojnë prej dritëshkurtësisë së njëri – tjetrit, do të ketë padyshim një fund të palumtur për ta.

Por megjithatë, Kryeministri Rama shprehet i duruar për të pritur hetimin e plotë të akuzës që ai e quan bombastike dhe të shpifur, por edhe shumë të mirëseardhur pasi ka çelur një fazë të re të betejës për çlirimin e opinionit publik nga makthi i vjetër se politikanët janë të gjithë njësoj. Njësoj në fakt janë vetëm ata që nuk dinë ku është kufiri mes politikës dhe krimit, e mbyll reagimin kreu i qeverisë.

Tv Klan