Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet për tenderin për rikonstruksionin e ish–Hotel Dajtit, një projekt që kushton 16 milionë euro.

Organi i akuzës do të hetojë për dy akuza të rënda: atë të shkeljes së barazisë në tendera dhe atë të shpërdorimit të detyrës.

Objekt i hetimit do të jetë mënyra si është zhvilluar tenderi për rikonstruksionin e godinës, që është dhënë një kompanie, emri i së cilës vazhdon të mbahet sekret nga Banka e Shqipërisë.

Mësohet se hetimet kanë si bazë të parë shqyrtimin e gjithë dokumentacionit dhe mënyrën se si është përcaktuar zhvillimi i tenderit për Hotel Dajtin.

Banka e Shqipërisë reagoi të martën për të sqaruar për herë të parë pas dy muajve të gjithë procesin e rikonstruksionit të këtij objekti.

Por në sqarimin e saj nuk thuhet se procedura e prokurimit te godinës të jetë miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës, ashtu siç nënvizohet se Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar vetëm projektin që ka kushtuar rreth 705 mije euro. 

Sipas ligjit, është këshilli mbikëqyrës ai që e përcakton proceduren e prokurimit, siç ka vepruar edhe në rastin e rikonsturksionit të Bankës Qendrore, me vendimin numër 68.

Guvernatori i Bankës, thotë se këshilli mbikëqyrës nuk e firmos procedurën e prokurimit, por shton se gjithçka është bërë si në rastin e prokurimit të rikonstruksionit të godinës qëndrore.

GENT SEJKO, Guvernator i Bankës së Shqipërisë:

“Këshilli Mbikëqyrës nuk firmos procedurë prokurimi. Normalisht gjithçka është bërë sipas ligjit, sipas rregullores. Gjithçka është në përputhje me ligjin, gjithçka është në përputhje me procedurën.”

-Zoti Guvernator përse këshilli nuk ka miratuar llojin e procedurës “Tender Ndërkombëtar i Kufizuar”, njësoj siç ka bërë në vendimin për selinë qendrore?

– “Njësoj është miratuar.”

– Te vendimi i vitit 2015-të nuk është miratuar procedura “Tender Ndërkombëtar i Kufizuar”.

-“Gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe në përputhje me rregulloren. Ne raportojmë çdo vit përpara Komisionit të Ekonomisë dhe jemi subjekt auditi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.”

Vendimi i datës 1 prill të vitit 2015-të, thotë se Këshilli ka miratuar “realizimin e objektit të prokurimit “Rikonstruksioni i godinës së ish-hotel “Dajtit”, nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje deri në 3 vjet”, por nuk ka përmendur asnjë procedurë prokurimi.

Banka e Shqipërisë refuzoi për 2 muaj me radhë të jepte sqarime për tenderin dhe e mbajti atë lart transparencës ndaj publikut, duke shtuar dyshimet për mënyrën e zhvillimit të tij. Nëse tenderi është zhvilluar në respekt të ligjit, do të jenë hetimet e prokurorisë së Tiranës që do të hedhin më në fund dritë mbi këtë çështje. Pritet që prokuroria të marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë në procedurat e tenderit 16 milionë eurosh.

/Tv Klan