Deputetët Vladimir Kosta dhe Alfred Peza u përjashtuan nga lista e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 18 qershorit, pas shkresës së Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka nisur hetimet ndaj tyre. 

ABC News ka mësuar se pak kohë para publikimit të kandidatëve për zgjedhjet e 18 qershorit, Partia Socialiste i ka kërkuar kryeprokurorit të verifikoje emrat e deputetëve aktualë.

Burimet thonë se nga verifikimi i kryer, dy deputetët Vladimir Kosta dhe Alfred Peza kanë rezultuar me probleme, për të cilat është njohur me shkresë zyrtare kreu i PS-së. 

Prokuroria ka kërkuar për deputetin Vladimir Kosta ndërprerjen e mandatit për shkak të falsifikimi të formularit të dekriminalizimit.

Ndërkaq për deputetin Alfred Peza, prokuroria e ka njoftuar me shkresë PS-së se ndaj tij ka një hetim penal për akuzën e “fshehjes së pasurisë” dhe “pastrim të parave”. Për të dy këta deputetë, thonë burimet, prokuroria ka evidentuar problemet me ligjin ç’ka ka ndikuar në mospërfshirjen e tyre në listat për zgjedhjet e 18 qershorit. Ndërsa për deputetët e tjerë të PS-së, thonë burimet, i është verifikuar gjendja gjyqësore dhe ka rezultuar e pastër.

Sipas prokurorisë, asnjë parti politike, që garon në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, nuk ka sjellë emrat e kandidatëve të rinj, për t’i verifikuar nga prokuroria nëse kanë të kaluar kriminale. Në ditët në vazhdim, pas plotësimit të formularit të veçantë, pritet që KQZ-ja fillimisht t’i verifikojë dhe më pas emrat e tyre të kalojnë në sitën e sektorit të “dekriminalizimit” në prokurorinë e përgjithshme. 

Nga ana tjetër, burimet zyrtare pranë organit të akuzës i thanë ABC News se pavarësisht vendimit të KQZ-së për 21 zyrtarët e lartë shtetërorë, që kanë riplotësuar formularët, prokuroria po kryen hetime të thelluara për këta individë me dyshimin se kanë “falsifikuar formularin” e dekriminalizimit.

Për këtë fakt, thonë burimet, në ditët në vazhdim kryeprokurori pritet të kërkojë ndërprerjen e mandatit edhe për disa deputetë të tjerë që nuk kanë pasqyruar të dhëna të sakta në formularin e parë dhe të vetëm, sipas prokurorisë, për ligjin e dekriminalizimit. 

Gjithashtu edhe ndaj zyrtarëve të KQZ-së ka nisur hetimi penal për pranimin e formularëve të dytë të deputetëve dhe ndryshimin e tyre në sistemin elektronik. Pasi ende nuk dihet se mbi ç’bazë ligjore KQZ-ja ka pranuar formularët e vetëdeklarimit të të kaluarës së zyrtarëve, dy muaj pas përfundimit të afatit ligjor, thonë burimet e prokurorisë./ABC News