Prokuroria e Përgjithshme ngre shqetësimin se, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese nuk mund të hetojë më zyrtarët e lartë për korrupsion, pasi kjo kompetencë i ka kaluar Prokurorisë Speciale, e njohur ndryshe si SPAK, e cila nuk është ngritur ende.

Parlamenti nuk ka parashikuar se kush do t’i hetojë këta zyrtarë deri në ngritjen e SPAK. Në një njoftim zyrtar, organi qendror i akuzës thotë se Kushtetuta e re, e miratuar me vota unanime në 21 Korrik nga parlamenti, ka krijuar ngërç në punën e saj.

Për Prokurorinë duhet ndërhyrë urgjentisht në ligjin themeltar, që t’u japë fuqi dispozitave të mëparshme ligjore, deri në miratimin e paketës së plotë të Reformës në Drejtësi.

Prokuroria konstaton se, pa dispozita kalimtare çdo vendim i akuzës me vonë mund të konsiderohet antikushtetues.

Ndryshe nga organet e tjera, vetëm për Prokurorinë nuk janë parashikuar dispozitat kalimtare. Prokuroria e Përgjithshme thotë se nuk synon të gjejë arsyet që kanë nxitur hartuesit e Kushtetutës për këtë diferencim në trajtimin e institucionit.

Ajo nënvizon se është e prirur të sugjerojë zgjidhje që i shërbejnë mbarëvajtjes së aktivitetit të mëtejshëm.

Kushtetuta e re i ka hequr Prokurorit të Përgjithshëm edhe të drejtën e vendimmarrjes për karrierën e prokurorëve, duke ia caktuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kjo strukturë e re duhet të ngrihet brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e Kushtetutës. Por një numri të madh prokurorësh u përfundon ndërkohë afati i komandimit, duke krijuar një problem të ri.

Tv Klan