Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon konfiskimin e 2.1 milionë metra katrorë tokë, 1700 metra katrorë ndërtim të vendosura në zonën turistike të Fierit, si dhe 3 shoqëri biznesi.

Të gjitha këto pasuri janë në emër të Fatmir Kajollit ose familjarëve të tij të afërt. Për të gjitha këto pasuri miliona euroshe, prokuroria ka dyshime se janë krijuar nga aktiviteti kriminal i Fatmir Kajollit.

Ai rezulton i dënuar me 24 vite burg nga Gjykata e Milanos në vitin 2001, për krijim të organizatës kriminale si dhe trafik të lëndëve narkotike.

Po ashtu, Gjykata e Romës, në vitin 2000 e ka dënuar me 16 vite burg për të njëjtat akuza. Pas verifikimit të pasurisë nga rrethi familjar dhe miqësor i Kajollit, prokuroria kërkon konfiksimin e pasurisë së ish – gruas së Fatmir Kajollit, Majlinda Çuko, e cila zotëronte asete në vlerën e 1.1 miliardë lekëve të reja.

Në emër të Majlinda Çukos janë regjistruar 23 prona, të cilat nga hetimi pasuror ka rezultuar se nuk i justifikon. Një pjesë e pronave janë përfituar nga Çuko me anë të të kontratave të dhurimit, të bëra brenda një kohe të shkurtër.

Tv Klan