Një tjetër deputet i Kuvendit të Shqipërisë duhet të lërë mandatin. Ky është përfundimi i Prokurorisë së Përgjithshme pas një hetimi për të kaluarën e deputetit socialist të Lezhës, Armando Prenga. Sektori i “Dekriminalizimit” në këtë prokurori ka konstatuar se Prenga nuk ka deklaruar një dënim të formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” me 450 mijë lekë gjobë.

Sipas prokurorisë Prenga rezulton me precedentë penale në Itali për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos.

Këto të dhëna sipas prokurorisë janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane. Për çështjen e deputetit Prenga, Prokuroria ka nisur hetimet edhe për vetë KQZ-në pasi ka verifikuar shkelje të ligjit.

Sipas prokurorisë KQZ ka qenë në dijeni të fshehjes së një dënimi nga deputeti Prenga që 27 maj 2016, por nuk ka bërë kallëzim penal sipas ligjit. Organi i akuzës thotë se KQZ ka shkelur lidhin edhe për një tjetër deputet dhe për 2 kryetarë bashkie duke pranuar një formular të dytë jashtë afatit të përcaktuar në ligjin e dekrimanlizmit.

Po sipas prokurorisë, pas verifikimeve të bëra nuk ka gjetur shkelje në rastin e deputetit të Partisë Demokratike Flamur Noka për dëbim nga ish-Jugosllavia pasi nga përgjigjja e autoriteteve serbe nuk rezulton që Noka të jetë dënuar në këtë vend dhe se ai nuk e ka pasur detyrim ligjor të deklarojë dëbimet nga një shtet i huaj vetëm për shkak të shkeljes së rregullave të qëndrimit. / TV KLAN