lokalet-cadratPas prishjes së shtesave pa leje nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, shumë lokale kanë humbur thjeshtë muret rrethuese.

Hapësirat publike i kanë zënë sërish me tavolina dhe në vend të çative kanë vendosur çadra.

Lokale në zonën e ‘21 Dhjetorit’ nuk kanë humbur asnjë centimetër sipërfaqe nga lokalet e ngritura mbi hapësira publike.

Nuk kanë vonuar dhe pas prishjes së shtesave të jashtëligjshme, i kanë rimarrë hapësirat që i takojnë komunitetit, për t’i shfrytëzuar për biznes.

Kështu ndodh edhe me lokalet në zonën e Porcelanit.

Edhe në tregun e Njësisë Bashkiake numër 3, në zonën e Porcelanit, ndodh i njëjti fenomen.

Ky treg për vite me radhë ka marrë nga Drejtoria e Higjenës urdhër mbyllje për shkak të kushteve jo të mira higjeno sanitare.

Ekzekutues i këtij vendimi duhet të ishte Bashkia e Tiranës, por që nuk ndërmorri asnjë aksion për heqjen e tij.

U desh ndërhyrja e INUK për ta prishur.

Por edhe këtu tregtarët kanë ngritur sërish çadra duke vazhduar aktivitetin e tyre.

Bashkia e Tiranës nuk ndërhyn për t’i ndaluar këto subjekte që veprojnë në shkelje të ligjit, brenda territorit të saj, duke bllokuar lulishte e trotuare me karrige, tavolina, çadra e tezga.

Mospërmbushja e detyrimeve ligjore për kontrollin e territorit, nga ana e saj, e ka bërë Tiranën e vitit 2014 që të ngjajë me qytetet e lëna pasdore të botës së tretë dhe aspak me kryeqytetin e një vendi që ka statusin e kandidatit për t’u bërë anëtarë i Bashkimit Europian.

Tv Klan